Asambleja e 7-te e Përgjithshme Zgjedhore në Federatën Shqiptare të Futbollit po zhvillon punimet në Durrës. Nga kjo Asamble do të zgjidhen, presidenti i Federatës e strukturat e tjera deri te anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit. Në hapje të Asamblesë presidenti në detyrë Armand Duka u shpreh se sot merren vendime për fatet në vijim të futbollit shqiptar, ku në radhë të parë duhet të fitojë futbolli. “Në plan të parë duhet të fitojë futbolli. Objektivat tona mbetet të njëjta, që nga infrastruktura. Ky do të ishte një kontribut aq fisnik për ne këtu dhe për të gjithë ata që na ndjekin nga ekrani.

Futbolli shqiptar ka regjistruar jo pak ngjarje të rëndësishme. Obligimi për ne është që të jemi një skuadër ambicioze drejt suksesit. Jemi të vetëdijshëm për punën që duhet të bëjmë. Besoj se ju sot do të bëni zgjedhjen e duhur, duke vlerësuar alternativën më të mirë për futbollin shqiptar. Mbi të gjitha duhet të fitojë futbolli. Kam bindje se kjo Asamble me diskutimet, vendimet, pjekurinë e saj janë një shtysë më e fortë për përpjekjet tona.” Presidenti i ri zgjidhet me 2/3-at e votave, e në rast balotazhi, do të mjaftojë shumica e thjeshtë për të shpallur fituesin.

Gara me e forte është ajo mes Armando Dukës, Presidenti aktual i FSHF-së dhe deputetit të Partisë Socialiste, Bashkim Fino. Duka është presidenti në fuqi i Federatës, në detyrë që prej vitit 2002. Biznesmeni nga Shijaku kërkon mandatin e tij të pestë dhe nëse fiton, do të jetë 20 vite në postin e lartë te Futbollit. Fino është ish-kryeministër i Shqipërisë në vitin 1997, po ashtu ka shërbyer si zv/kryeministër, ministër dhe si deputet, duke qenë ende pjesë e Parlamentit. Në Asamble, sipas statutit të Federatës, marrin pjesë 66 kandidatë me të drejtë vote, që përfshijnë klube e shoqata. Për 25 nga klubet e futbollit do të votojnë kryetarët e Bashkive apo njerëz të tyre, ndërsa për pjesën tjetër do të hedhin votën presidentët.

Konflikti më i madh mes kandidatëve ka qenë për të drejtën e votimit të shoqatave rajonale të cilat, sipas Finos, nuk kanë qenë të regjistruara në gjykatë. UEFA ka treguar interesim të madh për zgjedhjet duke sjellë në Tiranë përfaqësuesin e saj të lartë, Grihori Surkis nga Ukraina.