Policia e Shtetit, në cilësinë e presidentes së SEPCA-s për vitin 2025 drejtoi punimet e Asamblesë rajonale të drejtuesve të policive të Evropës Juglindore.

Në fjalën e tij në këtë Asamble, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda u shpreh se, “bashkëpunimi policor rajonal nuk është më thjesht një nevojë, por tashmë është thelbësor për sigurinë dhe stabilitetin në rajonin tonë dhe më gjerë”.
Proda u shpreh i bindur se do të ishte në interesin e luftës së përbashkët që edhe Policia e Kosovës të ishte anëtare e kësaj nisme rajonale.

Ai theksoi se, “SEPCA është dëshmuar në vite si një platformë strategjike bashkëpunimi mes policive të Evropës Juglindore, një urë që lidh përvojat tona, forcon koordinimin, mbështet ndërtimin e një sigurie të mëparshme”.

“Kjo Asamble është më shumë sesa një forum diskutimi, ajo është një mundësi për reflektim, për frymëzim dhe për angazhime konkrete, për të përballuar sfidat e reja të sigurisë me vendosmëri dhe vizion të përbashkët”, tha Proda.
Po ashtu, vijoi kreu i Policisë së Shtetit, “kemi rritur kapacitetin operativ dhe bashkëpunimin ndërinstitucional kundër kontrabandës së migrantëve, trafikut të qenieve njerëzore, armëve dhe pastrimit të parave”.

“Veçanërisht kemi intensifikuar hetimet financiare me qëllim goditjen e burimeve ekonomike të grupeve kriminale dhe rikuperimin e pasurive të paligjshme. Kjo është një përparësi strategjike në vizionin tonë për një sistem drejtësie më efikas dhe më të drejtë”.

“Policia e Shtetit shqiptar është në një periudhë transformimi thelbësor, si nga strukturat e teknologjia, nga profesionalizimi i burimeve njerëzore, te forcimi i marrëdhënieve me komunitetin dhe pa dyshim me partnerët tanë ndërkombëtarë”, tha Proda.

“Shqipëria mbetet një vend që beson në partneritetin dhe integrimin evropian, si rruga e vetme drejt sigurisë afatgjatë dhe zhvillimit të qëndrueshëm”, theksoi Proda.

Artikulli paraprakMINISTRIA E MBROJTJES: U RAPORTUAN 13 VATRA ZJARRI NË 24 ORË
Artikulli tjetërSHKODËR, POLICIA NË 24 ORË , NJË PERSON I ARRESTUAR DHE DISA PERSONA PROCEDOHEN NË GJËNDJE TË LIRË