Nisi punimet në Gjenevë këtë të hënë sesioni i 149 i Asamblesë së Unionit Ndër-Parlamentar, në të cilin merr pjesë edhe delegacioni i Kuvendit të Shqipërisë, i kryesuar nga Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali. Në nisje të fjalës së saj, Spiropali u njoftoi pjesëmarrësve lajmin se në 15 tetor Shqipëria mban Konferencën Ndërqeveritare me BE-në për çeljen e grup-kapitujve 1 të Negociatave, Themelorët. Në vijim, Spiripali vuri në dukje se “roli i parlamenteve në mbështetjen e zhvillimit ekonomik e shoqëror po bëhet gjithnjë e më thelbësor; në ditët e sotme, zhvillimi i çdo vendi po mbështetet gjithnjë e më shumë nga progresi shkencor e teknologjik”. Sipas saj, zhvillimi i vrullshëm i dijeve dhe teknologjive po pasohet edhe nga “demokratizimi” i tyre, pra rritja e aksesit në teknologjitë e informacionit dhe inteligjencën artificiale, të grupeve të mëdha të popullsisë, sidomos rinisë.

“Aktualisht Shqipëria ka arritur një përdorim masiv të shërbimeve publike online. Rreth 95% e shërbimeve në vend ofrohen tashmë online. Sfidat e përdorimit të teknologjisë në shërbimet publike shtohen edhe për shkak të rrezikut të sulmeve kibernetike, të cilat vijnë si rrjedhojë e qëndrimeve të vendosura e të qarta të Shqipërisë kundër terrorizmit. Megjithatë ato nuk do të përbëjnë kurrë arsye për ndryshimin e qëndrimeve tona të palëkundura në luftën kundër terrorizmit, për mbrojtjen e sigurisë, paqes, demokracisë dhe lirisë së popujve.Kuvendi ka miratuar kohët e fundit komisionin e posaçëm për koordinimin e përpjekjeve kundër disinformimit dhe intereterencave të huaja dhe është i vendosur të mbrojë sistemin demokratik prej ndërhyrjeve të huaja malinje”.

Në vijim, Spiropali u ndal edhe në zbatimin e arritjeve të progresit shkencor e teknologjik në mbështetjen e funksioneve, veprimtarive dhe proceseve parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë, si inkorporimi i dijeve dhe arritjeve shkencore bashkëkohore në procesin e hartimit të ligjeve, krijimi i strukturave të posaçme të shërbimeve parlamentare dhe ndërtimi i një bashkëpunimi permanent institucional me universitetet dhe institucionet akademike. Spiropali drejtoi edhe njërën prej seancave plenare të këtij sesioni të Asamblesë.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakTEATRI “MIGJENI” FITON ÇMIMIN HISTORIK
Artikulli tjetërAGJENSIA E MBIKËQYRJES POLICORE NDALON PUNONJËSIN E POLICISË PËR SHPËRDORIM DETYRE