Në ditën e parafundit të këtij muaji do të zhvillohet mbledhja e radhës e Asamblesë së KF Vllaznia sh.a, . Në të njëjtën ditë do të zhvillohet mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak Shkodër dhe menjëherë pas përfundimit të saj, do të nisë mbledhja për Vllazninë. Në të janë tri pikat e rendit të ditës, pika që përgjithësisht konsiderohen të rëndësishme për ecurinë e mëtejshme të kuqebluve. Pika e parë ka të bëjë me miratimin e zmadhimit të kapitalit të kësaj shoqërie aksionare.

Që do të thotë se 550 milionë lekët (e vjetra) e miratuara nga Bashkia Shkodër në fund të dhjetorit, do të futen tashmë si kapital i kësaj shoqërie. Vetëm pas miratimit nga anëtarët e Asamblesë, mund të lëvrohet ky fond. Pika e dytë është ndryshimi strukturës së pagave për disa pozicione të posaçme. E treta dhe e fundit është miratimi i projekt-buxhetit të shoqërisë për vitin 2018.

Pa dyshim që kjo mbledhje e datës 30 janar konsiderohet e një rëndësie të veçantë, sepse ka të bëjë me anën financiare të klubit kuqeblu. Në rast të moszhvillimit apo dështimit të miratimit të këtyre pikave, do të ndikojë shumë negativisht në ecurinë e Vllaznisë.