4654 bimë të dyshuara narkotike dhe 41 parcela janë asgjesuar nga policia vendore e Shkodrës në një aksion të radhës anti-cannabis.
Një gjë e tillë bëhet e ditur nga komunikata për shtyp e policisë. Konkretisht aksionet janë shtrirë në bashkitë Vau Dejës dhe Pukë. “Vijon aksioni anti-cannabis nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe konkretisht nga Komisariatet Vau Dejës dhe Pukë ku në operacionet policore të zhvilluara janë asgjësuar me anë të djegies gjithsej 4654 bimë të dyshuara narkotike me gjatësi nga 80 deri në 170 cm dhe në toka publike. Konkretisht, në Vau Dejës, në Njësinë Administrative Shllak u asgjësuan 38 parcela 3357 bimë narkotike, pa autor. Në Pukë, në zonat Gjegjan dhe Luf u asgjësuan në 3 parcela 1297 bimë narkotike pa autor. Materialet për veprimet e kryera në Pukë do të percillen Prokurorisë Pukë ndersa ato të kryera në zonën e Vaut të Dejës i percillen Prokurorisë Shkodër. Nderkohë bëhet me dije se do vijojë pa ndalim aksioni anti – cannabis nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër edhe me ndihmën e 15 grupeve të FNSH Shkodër dhe do të veprohet në dy drejtime në zonën e Pultit të Shkodrës dhe në zonën e Shllakut dhe Temal të bashkisë Vau Dejës”-përfundon deklarata për shtyp. Zonat e sipërmendura dyshohet se kanë edhe sasinë më të madhe të bimëve narkotike cannabis sattiva ndaj edhe aksionet e policisë janë përqendruar atje. Pavarësisht aksioneve gjatë verës ende shumë parcela qëndrojnë të mbjella ma cannabis dhe të paprekura deri tani nga forcat e policisë.