Pas kalimit të asteroidit “Apophis” në fillim të marsit, një gur tjetër kozmik po përgatitet “të përshëndesë” Tokën më 21 Mars: është asteroidi më i madh që pritet në 2021.

Quhet “2001 FO32” dhe sipas vlerësimeve të studiuesve të Jet Laboratories të NASA-s, ka një diametër midis 770 dhe 1 700 metra.

Ai klasifikohet si një asteroid potencialisht i rrezikshëm, por do të kalojë në një distancë të sigurt prej rreth 2 milionë kilometrash nga Toka, afërsisht pesë herë më e largët se mesatarja midis Tokës dhe Hënës.

“Çdo objekt më i madh se rreth 140 metra dhe i aftë për t’iu afruar orbitës së Tokës brenda 7,5 milionë kilometra meriton përcaktimin e një asteroidi potencialisht të rrezikshëm”, deklaroi astrofizikanti Gianluca Masi, përgjegjës i projektit “Virtual Telescope”.

Për studiuesit e NASA-s, kalimi i këtij asteroidi, i zbuluar 20 vjet më parë, është një mundësi për të studiuar, duke filluar nga gjeologjia, një fosil kozmik që u formua në agimin e Sistemit Diellor.

Për ta parë përsëri nga pjesë të Tokës, do të duhet të presim deri në vitin 2052, kur asteroidi do të kalojë në një distancë prej rreth 2,8 milionë kilometrash.