
Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” ka prezantuar ekspozitën “Atelieja e Edukimit”, një projekt që rikthen në vëmendje punën e zhvilluar ndër vite me fëmijët, duke e vendosur fotografinë dhe arkivin e Marubit në qendër të një procesi krijues dhe edukues.
Përgjatë një dekade, fëmijët kanë eksploruar imazhin përmes teknikave dhe formave të ndryshme, duke ndërtuar një arkiv të veçantë, ku secila vepër mbart mënyrën e tyre të të parit dhe të interpretuarit të botës.
Krijimtaria e tyre, sipas kuratores, është zhvilluar si një proces ku fotografia nuk është parë thjesht si objekt për t’u njohur, por si një pikënisje për të nxitur imagjinatën dhe mendimin kritik.
Në ekspozitë ndërthuren mediume, teknika dhe narrativa të ndryshme, duke krijuar një gjuhë vizuale të ndërtuar nga vetë fëmijët dhe nga mënyra e tyre e veçantë për të perceptuar imazhin.


