Është vrarë mëngjesin e sotëm në atentat, Oliver Ivanoviç, lideri i SDP-së, parti e pakicës serbe në Kosovë. Mediat e Prishtinës dhe ato të Beogradit shkruajnë për këtë ngjarje të rëndë, ndërsa bëhet e ditur se Serbia do të mbledhë në mesditë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Persona ende të paidentifikuar qëlluan disa herë mbi Ivanoviç, ndërsa ai i drejtohej selisë së partisë së tij në Mitrovicën e veriut. Më pas u njoftua për një makinë të djegur që dyshohet se u përdor nga autorët. Ivanoviç u transportua menjëherë në spital, por nuk arriti të mbijetojë. Kryeprokurori i Prokurorisë në Mitrovicë, Shyqyri Syla, ka konfirmuar për KTV-në, që Ivanoviç ka ndërruar jetë. Ai ka thënë se Ivanoviç është qëlluar nga një automjet në lëvizje.

Kujtojmë se Departamenti Amerikan i Shtetit, ditë më parë, paralajmëroi se në pjesën veriore të Kosovës mund të ketë sulme terroriste dhe u bëri thirrje shtetasve të saj të bëjnë kujdes në Kosovë. Mediat e shumta serbe kanë reaguar për vrasjen e Olivier Ivanoviç. “Novosti” në Beograd raporton se sulmues të panjohur kanë shtënë me 3 plumba teksa Ivanoviç po hynte në ambientet e partisë së tij. Oliver Ivanoviç kaloi më shumë se dy vite në burg si i akuzuar për krime lufte, deri kur u lirua në prill të vitit të kaluar. Në korrik të 2017, atij i dogjën makinën dhe për këtë fajësoi katër anëtarë të partisë së tij, duke i përjashtuar nga forca politike që drejtonte për shantazh.