Një atentat i stilit mafioz është regjistruar mbrëmjen e së dielës në qytetin e Durrësit, ku persona ende të paidentifikuar, kanë hapur zjarr në drejtim të një automjeti në lëvizje, duke i marrë jetën dy personave.

Burime zyrtare nga policia e qytetit bregdetar bëjnë të ditur se viktimat janë Ervin Kodra, 33 vjeç nga Durrësi dhe Endri Caushaj, 25 vjeç nga Vlora. Të dy personat kanë qenë duke udhëtuar me një automjet tip BMË me targa AA 292 IH nga shëtitorja “Taulantia”, në afërsi të hyrjes së Portit, në drejtim të rrugës “Skënderbej”, kur ndaj tyre është qëlluar me breshëri automatike. Si pasojë, kanë humbur jetën menjëherë dy të rinjtë që ishin në makinë, ndërsa automjeti ka dalë jashtë kontrollit dhe është përplasur me një tjetër mjet që ndodhej në rrugë. Nga ana e saj, Policia e Durrësit ka mbërritur në vendngjarje ku ka nisur mbledhjen e provave dhe të dëshmive që mund të çojnë në identifikimin e autorëve. Po ashtu, pika të shumta kontrolli janë ngritur në të gjitha akset kryesore të qytetit, ndërsa janë sekuestruar dhe pamjet filmike të disa bizneseve që ndodhen përgjatë vendit ku ka ndodhur atentati, për të zbardhur dinamiken e ngjarjes dhe për të zbuluar itinerarin e ndjekur nga autorët pas kryerjes së krimit.