
Në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër është zhvilluar këtë të hënë seanca për masën e sigurisë për 4 të arrestuarit si autorë të dyshuar të atentatit me lëndë plasëse ndaj 67 vjeçarit Hysni Ymeri në hyrje të banesës së tij me datë 29 dhjetor të vitit të kaluar .
Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Gert Bushatin, i dyshuar si autor i vendosjes së tritolit që i mori jetën 67-vjeçarit Hysni Ymeri
Bushati ka pranuar para hetuesve se më 27 dhjetor ka vendosur sasinë e eksplozivit në panelin e matësve elektrikë, e cila shpërtheu dy ditë më pas, duke shkaktuar vdekjen e viktimës. Në dëshminë e tij, ai ka deklaruar se është kontaktuar nga tre shtetas të tjerë, Edison Hasaj, Gjergj Zefi dhe Ergys Ibrahimi, për të kryer këtë veprim.
Ndërkohë, gjykata ka caktuar masën “arrest me burg” edhe për Edison Hasajn, Gjergj Zefin dhe Ergys Ibrahimin, të dyshuar si bashkëpunëtorë në këtë ngjarje të rëndë kriminale. Këta tre shtetas nuk e kanë pranuar përfshirjen në vrasje dhe nuk kanë dhënë deklarime as në polici dhe as gjatë seancës gjyqësore, duke u përfaqësuar nga avokatët e tyre mbrojtës.
Sipas burimeve hetimore, policia ka sekuestruar telefona celularë, ka kryer përgjime dhe ka administruar një sërë provash të tjera që mund të implikojnë edhe tre të arrestuarit e tjerë në këtë çështje.
Gjatë deklarimit të tij, Gert Bushati ka pretenduar se nuk ka pasur dijeni se vendosja e tritolit do të sillte humbje jete. Ai ka thënë se i ishte komunikuar nga porositësit se qëllimi ishte vetëm për të trembur dhe jo për të vrarë.
Nga hetimet paraprake mësohet se sasia e eksplozivit ishte vendosur edhe më herët, por nuk kishte shpërthyer. Në këto rrethana, Bushati ka deklaruar se e ka vendosur sërish tritolin më 27 dhjetor, ndërsa dy ditë më vonë shpërthimi rezultoi fatal për 67-vjeçarin Hysni Ymeri.
Seanca për tre shtetasit e dyshuar si bashkëpunëtorë është zhvilluar fillimisht, ndërsa masa e sigurisë për Gert Bushatin, i cili ka pranuar vendosjen e eksplozivit, është caktuar në një seancë të veçantë.
Për shkak të mungesës së dëshmive nga tre të arrestuarit e tjerë, mbetet ende e paqartë arsyeja e vrasjes së Hysni Ymerit.
Ndaj katër shtetasve të arrestuar rëndojnë akuzat për “vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim”, “shkatërrim të pronës me eksploziv”, “mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve shpërthyese dhe municionit”, si dhe “prishje të qetësisë publike”. Po ashtu, ata akuzohen edhe për “prodhim dhe shitje të narkotikëve në bashkëpunim”.


