
PROTESTUESIT KËRKOJNË MBYLLJEN E BURGJEVE TË SIGURISË SË LARTË. Athina është përshirë mbrëmë nga përleshjet e dhunshme mes policisë dhe një grupi anarkistësh. Përleshjet nisën pas protestës kundër burgjeve të sigurisë së lartë.
Rreth 50 vetë të veshur me kapuçë hodhën gurë, bomba me benzinë dhe dogjën makinat gjatë protestës, duke u përballur me forcat e rendit. Policia përdori shkopinjtë e gomës dhe gazin lotësjellës për të shpërndarë protestuesit e dhunshëm. Incidente u shënuan në lagjen “Eksarxia”, një zonë e populluar nga artistë dhe intelektualë të krahut të majtë. Shumë nga rrugët e Athinës u bllokuan, duke rënduar trafikun e qarkullimin normal të automjeteve në Athinë. Një oficer policie tha se protestuesit i kishin vënë flakën dy makinave dhe kazanëve të plehrave. Ata kërkonin mbylljen e burgjeve të sigurisë së lartë, një premtim ky i dhënë nga qeveria e Tsipras. Javën e shkruar, protestuesit zaptuan disa ndërtesa publike dhe madje hynë edhe në ndërtesën e parlamentit duke kërkuar lirimin e anëtarëve të burgosur të grupit gueril “Komploti i Celulës së Zjarrit”. Kjo është protesta e katërt e dhunshme e ndodhur gjatë qeverisë së Aleksis Tsipras,i cili erdhi në pushtet më 25 janar. Politikanët opozitarë kanë kritikuar qeverinë për mungesën e reagimit ndaj protestave që po shqetësojnë publikun.