Greqia shpreson që ministrat e Financave të eurozonës të vendosin të hënën pasdite disbursimin e një kësti me vlerë 7,5 miliardë euro, si pjesë të kredisë së akorduar në kuadër të planit të tretë të shpëtimit të vendit.

Por pritshmëria më e madhe e Athinës lidhet me mundësinë e një reduktimi të ri të borxhit grek, një premtim që partnerët e kanë dhënë që në vitin 2012, në këmbim të reformave që duhet të kryejë Greqia. Të premten, parlamenti grek miratoi një tjetër paketë masash shtrënguese, që burojnë në marrëveshjen me kreditorët. Pas votimit, dhe duke iu referuar çështjes së borxhit, kryeministri Tsipras deklaroi se “topi tashmë ndodhet në fushën e kreditorëve”. Të hënën paradite, para nisjes për takimin me homologët e vet të eurozonës, ministri grek i financave, Euklidis Tskalotos u shpreh mjaft optimist se në fund të ditës do të kishte një vendim për borxhin.

“Nuk ka justifikim për vonesa të tjera në çështjen e borxhit. Vendimet tashmë janë në duart e kreditorëve dhe unë jam optimist se kjo mund të realizohet dhe të hapet rruga në takimin e sotëm të Eurogrupit”, deklaroi Tsakalotos. Por më herët, Berlini kishte deklaruar se nuk do të ketë asnjë ulje borxhi për Greqinë. “Gjermania nuk ka për të pranuar asnjë ulje të borxhit grek, as zgjatje të afatit të shlyerjes, dhe as blerje të kredive nga FMN dhe ESM (Mekanizmi Europian i Stabilitetit), deklaroi zëdhënësi i Wolfgang Schaubles, ministrit gjerman të financave.

“Nuk ekzistojnë plane të tilla apo të tjera, për reduktimin e borxhit të Greqisë”, shtoi zëdhënësi. Mirëpo partneri i kancelares Merkel në koalicionin qeveritar, ministri i jashtëm Zigmar Gabriel, ishte kritik ndaj qëndrimit të zotit Schauble. “Greqisë i është premtuar vazhdimisht e vazhdimisht reduktimi i borxhit. Tani duhet të mbajmë premtimin tonë dhe kjo nuk duhet të dështojë për shkak të kundërshtimit gjerman”, deklaroi Gabriel për gazetën Sueddeutsche Zeitung. Gabriel citohet nga agjencia Reuters të ketë deklaruar se Fondi Monetar ndërkombëtar dhe shumica e vendeve anëtare të eurozonës, janë të gatshëm të adoptojnë masa për lehtësimin e borxhit të Greqisë.

Borxhi publik i Greqisë vlerësohet aktualisht në më shumë se 318 miliardë euro, ose 174,8% të prodhimit të përgjithshëm të brendshëm. Qeveria Tsipras e ka shndërruar këtë çështje në një kauzë madhore, pasi mendon që shifrat tepër të mëdha e borxhit përbëjnë pengesën kryesore për daljen e vendit nga kriza.