
Vllaznia ka konfirmuar edhe njëherë dominimin në atletikën shqiptare, duke u shpallur për të 18-in vit radhazi fituese e Kupës së Shqipërisë. Garat u zhvilluan në Elbasan Arena, ku morën pjesë atletë nga të gjitha ekipet e vendit.
Skuadra shkodrane triumfoi bindshëm, duke grumbulluar më shumë pikë se çdo rival dhe duke siguruar vendin e parë, një sukses që përkthehet në trofeun e 30-të në historinë e klubit. Një shifër që e konsolidon Vllazninë si rekordmene të atletikës shqiptare në 107 vite aktivitet.
Përveç suksesit si ekip, disa paraqitje individuale spikatën ndjeshëm.
Endri Rakaj fitoi garën e 100 metrave me kohën 10”74, ndërsa Muhamet Çangeli dominoi në kërcimin së gjati me 7.73 metra, duke u shpallur edhe sportisti më i mirë i aktivitetit me 1039 pikë olimpike.
Në 100 metra, Leandro Çardaku u rendit i dyti me 10”81, ndërsa në kërcimin së gjati, pas Çangelit, podiumi u plotësua nga Rakaj dhe Mario Cepi.
Çardaku shkëlqeu gjithashtu në 200 metra, ku zuri vendin e parë me kohën 22”09, ndërsa Durjon Idrizaj u rendit i treti me 22”26.
Rezultate pozitive erdhën edhe në disiplinat e tjera. Dejan Balla u rendit i dyti në 400 metra, Sidrit Kopliku fitoi si në 800 metra, ashtu edhe në 1500 metra, ndërsa Durjon Idrizaj triumfoi në 110 metra me pengesa.
Në kërcimin trehapësh, vendin e parë e mori Kolindo Kiri, i ndjekur nga Mario Cepi dhe Elizeo Spathari.
Në garat e femrave, spikati Erisa Rrasa, e cila triumfoi në kërcimin së gjati, duke konfirmuar nivel të lartë në disiplinën e saj.
Në total, ekipi i meshkujve të Vllaznisë grumbulloi 155 pikë, duke u shpallur fitues i Kupës së Shqipërisë për vitin 2026. Një sukses i merituar, që reflekton punën e vazhdueshme të sportistëve dhe stafit teknik të drejtuar nga trajnerët Albert Marashi, Bruno Rrotani, Dorjan Tafa dhe Jetmir Jahaj.


