Klubi shumësportesh “Sport Klub Vllaznia” ka hyrë në morsën e bashkisë Shkodër në një audit që vetë bashkia ka bërë për një periudhë 3 vjeçare nga viti 2012 deri në 2015-ën.

Ky audit prej 26 faqesh i bashkisë për “Sport Klub Vllaznia” ka nxjerrë në pah disa shkelje ligjore dhe administrative që vazhdojnë në të njëjtën mënyrë prej disa vitesh me radhë. Një prej gjetjeve më të rëndësishme është shkelja e ligjit minimalisht që nga viti 2008 teksa “Sport Klub Vllaznia” nuk duhet të jetë në varësi të bashkisë por kësaj të fundit duhet t’i kërkohet fillimi i procedurave për ta kthyer në shoqëri aksionere. Kjo do të thotë se edhe shumësportëshi do të duhet të funksionojë si Vllaznia e futbollit, si një sh.a dhe jo më institucion varësie sepse sipas auditit bie në kundërshtim me ligjin. Auditi në fillim thotë se sistemi i procesve organizative ka një rrisk të lartë sepse nuk ka rregullore dhe ka mangësi në përcaktimin e funksioneve. Sistemi buxhetor, ai i shpenzimeve, raporti financiar janë vlerësuar me rrisk të mesëm ndërsa paraqiten me mangësi të ndryshme. Në përmbledhjen ekzekutive thuhet se ka mangësi në procedurat e prokurimit, llogaritjen e pagave, menaxhimin e aseteve ndërsa nuk ka as një rregullore të brendshme.

Një shkelje tjetër e ligjit sipas auditit në “Sport Klub Vllaznia” është mos hartimi i një plan buxheti afatmesëm. Në 4 vite me radhë klubi shumësportesh nuk ka vjelur të ardhura thotë auditi as nga biletat as nga dhënia në përdorim e mjediseve të pallatit të sportit dhe nuk është bërë një përpjekje e tillë. Auditi ka gjetur se klubi shumësportesh nuk ka hartuar listën e sportistëve të cilët përfitojnë kuotat ushqimore ndërsa edhe ata që e pëfitojnë nuk kanë kontratë dypalëshe për të përcaktuar të drejtat dhe detyrimet. Sipas auditit sportistët janë paguar më shumë se numri maksimal i ditëve të trajtimit ushqimor ndërsa drejtuesit e “Sport Klub Vllaznia” nga 2012 në 2015 nuk kanë miratuar vlerat e përfitimit të kuotës ushqimore sipas sporteve dhe sportistëve por janë mjaftuar me pranimin e vlerave të diferencuara pas dhënë argumente. Po ashtu nga 10 objekte nuk janë në administrim të shumësportëshit sepse përdoren nga persona të tretë. Sipas auditit të bashkisë Shkodër drejtoria e sporteve në këtë bashki nuk ka hartuar politika dhe strategji lidhur me zhvillimin e sporteve ndërsa nuk janë ngritur grupe pune për vlerësimin e sportistëve dhe trajnerëve. Për të gjitha këto gjetje bashkia Shkodër ka lënë rekomandime për “Sport Klub Vllaznia” ku më e rëndësishmja është kërkesa që duhet të bëjë për të filluar procedurat për ta kthyer klubin shumësportesh nga institucion varësie në shoqëri aksionere.

Artikulli paraprakBANORËT E LIVADEVE: NA DIFERENCOJNË SI TEK GREVA
Artikulli tjetërÇMIMET “HAMIT BORIÇI” PËR GAZETARËT E SHKODRËS