
Australia dhe India nënshkruan sot një marrëveshje gjithëpërfshirëse tregtare pas më shumë se 10 vjet negociatash, në një përpjekje që shihet si një fitore e politikës së jashtme për qeverinë e kryeministrit australian Scott Morrison.
“Ky moment historik në marrëdhëniet e Australisë me Indinë do të sigurojë që eksportuesit të kenë akses në një nga ekonomitë më të mëdha në botë”, deklaroi Morrison gjatë ceremonisë online të nënshkrimit, duke i përshkruar vendet si dy ekonomi rajonale dinamike, me të njëjtin mendim për demokracinë, që punojnë së bashku për të arritur një përfitim të ndërsjellë. Kryeministri indian Narendra Modi e quajti atë një “moment vendimtar “.“Në bazë të këtij pakti, së bashku do të jemi në gjendje të rrisim qëndrueshmërinë e zinxhirëve të furnizimit dhe gjithashtu të kontribuojmë në stabilitetin e rajonit Indo-Paqësor”, tha ai. “Marrëveshja e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtisë Australi-Indi synon eliminimin e tarifave për më shumë se 85% të mallrave australiane të eksportuara në Indi, aktualisht me vlerë mbi 12 miliardë dollarë australianë (9 miliardë dollarë amerikanë) në vit”, raportoi televizioni australian i lajmeve AAP.
Ndërkohë, 96% e mallrave indiane që hyjnë në Australi do të jenë pa doganë. Marrëveshja u nënshkrua sot nga ministri australian i Tregtisë Dan Tehan dhe homologu i tij indian Piyush Goyal gjatë një ceremonie online.