Ka shkuar deri në 48 bilanci i të vdekurve në një aksident të ndodhur në Peru ku një autobus pasagjerësh ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një vend shkëmborë.

Autobusi që transportonte 57 pasagjerë doli nga rruga duke u shkëmbyer me një kamion në një rrugë të ngushtë të quajtur “Kthesa e djallit”. Autobusi ishte nisur për në qytetin Lima, kur u godit nga kamioni dhe doli nga rruga duke rënë me kokë poshtë në një vijë bregdetare të Paqësorit. Trupat e pajetë janë shpërndarë nëpër shkëmbinj duke e bërë të vështirë gjetjen e tyre. “Është shumë e trishtë për ne që të na ndodhë një aksident i tillë”, ka thënë presidenti i Perusë Pedro Pablo Kuczynski. Forcat e shpëtimit kanë punuar me orë të tëra për të mbledhur trupat e pajetë dhe për të shpëtuar të plagosurit, pasi nuk ka asnjë rrugë që të çon në bregdet, ku përfundoj autobusi.

Policia dhe ekipet e shpëtimit kanë përdorur helikopterë për të transportuar gjashtë të plagosur rëndë, ndërsa tre persona të tjera nuk janë gjendur akoma. Ministri i Transportit, Bruno Giuffra, deklaroi se “raportet fillestare tregojnë se të dy automjetet e përfshira udhëtonin me shpejtësi të lartë në kohën e aksidentit”. Aksidentet rrugore janë të zakonshme përgjatë rrugëve të Perusë, ku më shumë se 2,600 viktima janë regjistruar në vitin 2016.