Kryetarja e Kuvendit do të mbledhë në orën 18:00 Këshillin e Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetit socialist Alqi Bllako i akuzuar për aferën e incineratorit në Fier.

Mbledhja u njoftua një ditë më parë nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Ai pranoi se ka folur me Bllakon dhe kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla por nuk tha nëse do të japë dorëheqjen apo i ka kërkuar dorëheqjen Bllakos.

“Procedura do të nisë pa vonesë” tha ai duke garantuar se PS nuk do të bëhet pengesë për autorizimin e Kuvendit për arrestimin e tij.

Vetë Alqi Bllako paralajmëroi se do i dorëzojë sot mandatin si deputet, kryetares së Kuvendit.

Ai deklaroi se nuk e ka mburojë mandatin e deputetit ndërsa shtoi se do të provojë të vërtetën para Gjykatës. Bllako shprehet se do të përballet me akuzat si një njeri i thjeshtë.

Sipas SPAK nga hetimet e kryera kanë rezultuar të dhëna se nga ana e shtetasit Alqi Bllako, gjatë kohës që ka shërbyer në fillim me funksionin Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), është favorizuar shoqëria koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., kundrejt marrjes në mënyrë të tërthortë të përfitimit të parregullt në shumën prej 14,964,900 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë.

Gjithashtu Bllako akuzohet edhe për procedurën e shpronësimit të pronës ku do të ndërtohej Inceniratori i Fierit.

Artikulli paraprakTRUMP THIRRJE PUTINIT: TREGO INFORMACIONET E DËMSHME QË DI PËR PRESIDENTIN BIDEN
Artikulli tjetërREFUGJATËT UKRAINAS: DO TË KTHEHEMI NË SHTËPI