
Një aventurë që fatmirësisht ka përfunduar mirë dhe pa probleme për dy turiste gjermane në Sarandë. Raportohet se dy turistet kishin humbur kontaktet me të afërmit e tyre që nga mesdita e sotme. Mësohet se vajzat kishin marrë me qira një pedalone në një prej plazheve të Ksamilit, por nuk janë kthyer për orë të tëra.
Shtetasi K. Daci, ka denoncuar ditën e sotme mungesën e dy pedaloneve në policinë kufitare të Sarandës. Sipas tij, pedalonet i kishte dhënë me qira tek dy turiste të huaja që prej mesditës dhe ato nuk ishin kthyer për disa orë. Me marrjesn e njoftimit policia kufitare e Sarandës në bashkëpunim me policinë greke janë vënë në kërkim.
Pas disa orësh dy pedalonet janë gjetur te shtyra nga rrymat detare, në ujërat greke. Policia greke i ka rimorkiuar ato dhe ia ka dorëzuar palës shqiptare. Dy pedalonet bashkë me dy shtetaset e huaja, me shtetësi gjermane janë sjellë në portin e Sarandës. Mësohet se dy vajzat janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Në operacion për kthimin e tyre në tokë kanë marrë pjesë forcat e policisë kufitare të Sarandës dhe ato greke.






