Avokatët e Shkodrës i janë bashkuar bojkotit 10 ditor që u miratua nga Dhoma e Avokatisë si një vazhdim i protestës së tyre kundër hartës së re gjyqësore të miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Kryetari i Dhomës së Avokatisë në Shkodër Anton Kosteri deklaroi se kërkon që qeveria të mos e miratojë këtë hartë që parashikon shkrirjen e disa gjykatave në rrethe mes të cilave edhe Gjykatën Administrative dhe të Apelit në Shkodër.

Në Shkodër një avokate që ka dy muaj që ka nisur punën e ka thyer vendimin e Dhomës së Avokatisë për bojkot dhe ndaj saj pritet të ndërmerret një masë disiplinore që mund të shkojë deri në heqjen e licensës.

Në Shkodër janë afërisht 80 seanca gjyqësore në ditë që janë shtyrë si dhe 3-4 masa sigurie në ditë që po ashtu nuk janë zhvilluar që nga 25 qershori. Bojkoti i avokatëve në gjithë Shqipërinë do vijojë pa afat derisa qeveria të mos e miratojë hartën e re gjyqësore që parashikon shkrirjen e 16 gjykatave në gjithë vendin, tri prej të cilave në qarkun Shkodër.

 

Artikulli paraprakSINDIKATA: NGA JANARI SHPALLËN FALIMENTIN 100 BIZNESE
Artikulli tjetërNDRYSHOJNË ZYRAT E ALEAT, QYTETARËT TË PAINFORMUAR