Avokati i Popullit, me anë të një deklarate për mediat, i bën thirrje qeverisë, që të rritet mbështetja për të prekurit nga koronavirusi.

Po ashtu, Avokati i Popullit thekson se gjithashtu duhet që të rimbursohen edhe analizat e ekzaminimet e të sëmurëve.

Njoftimi i Avokatit të Popullit:

AVOKATI I POPULLIT REKOMANDON RRITJEN E MBËSHTETJES PËR QYTETARËT E PREKUR NGA COVID-19

Avokati i Popullit i ka kërkuar Qeverisë të ndërmarrë hapa të shpejtë për t’u mundësuar qytetarëve të prekur nga Covid-19 mbështetje të mjaftueshme dhe pa diskriminim me barna dhe shërbim shëndetësor, konform ligjeve në fuqi.

Institucioni vëren se ndonëse në nëntor të vitit të kaluar është miratuar një Vendim i Këshillit të Ministrave “Për miratimin e paketës së trajtimit COVID-19 ambulator në banesë të personave të diagnostikuar me COVID-19”, numri i përfituesve ka qenë tepër i ulët krahasuar me shkallën e gjerë të prekjes së popullatës nga kjo sëmundje pandemike.

Në një rekomandim adresuar Ministrisë së Shëndetësisë, Avokati i Popullit ka kerkuar marrjen e masave të menjëherëshme për zgjerimin e paketës së barnave për trajtimin ambulator në banesë të personave të diagnostikuar me COVID-19, duke përfshirë në të analizat laboratorike dhe ekzaminimet imazherike për diagnostikim dhe monitorim të ecurisë klinike të pacientit.

Avokati i Popullit ka kërkuar po ashtu garantimin e ofrimit pa asnjë diskriminim të shërbimit shëndetësor, duke përfshirë si kategori përfituese edhe individët të diagnostokuar me Covid -19, për periudhën Mars-Nëntor 2020.

Në një tjetër pikë, institucioni më i madh i mbrojtjes së të drejtave të njeriut në vend, ka kerkuar nga autoritetet shëndetësore për garantimin e ofrimit pa asnjë diskriminim të shërbimit shëndetësor – paketë barnash,

duke mos e kufizuar atë vetëm për pacientët e konfirmuar pozitivë me tampon nga institucionet shëndetësore publike por duke e ofruar atë për të tërë pacientët e diagnostikuar me këtë sëmundje infektive pavarësisht mënyrës së kryerjes së ekzaminimit apo institucionit shëndetësor kur është kryer ai.

Në informacionin e marrë zyrtarisht nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor lidhur me numrin e pacientëve përfitues për periudhën 19.11.2020 deri në datë 31.01.2021 rezulton të jenë ekzekutuar 2988 receta me rimbursim.

Ndërkohë që numri real i personave të prekur me Covid 19 dhe bërë publik çdo ditë nga MSHMS: për periudhën 19 Nëntor 2020 deri në 31 Janar 2021 është 47 982 persona, pra mesatarisht 648 të prekur në ditë.

Ndërsa ky numër deri në dt.10.03.2021, është 85 406 persona. Pra nga sa rezulton konstatohet se numri i përfituesve është jashtëzakonisht i vogël në raport me numrin e të infektuarve.

Institucioni i Avokatit të Popullit sjell në vëmendje se mbrojtja e shëndetit dhe e drejta për kujdes shëndetësor është një e drejtë e mbrojtur jo vetëm nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe aktet ligjore në RSH, por edhe nga një sërë aktesh ndërkombëtare në të cilat vendi ynë ka aderuar, të tilla si Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Karta Sociale Evropiane, Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, etj.