
Një ekip i Avokatit të Popullit po zhvillon prej tre ditësh një inspektim në Burgun e Reçit në Shkodër. Gjatë vizitës, institucioni u inspektua nga afër edhe nga Avokati i Popullit, Endrit Shabani, i shoqëruar nga Komisioneri për Parandalimin e Torturës, Ahmet Prençi.
Pas takimeve me të dënuarit dhe stafin, Shabani deklaroi se, pavarësisht se burgu është një strukturë e re, vijojnë të evidentohen problematika të sistemit penitenciar, veçanërisht sa i takon rehabilitimit dhe shërbimit shëndetësor.
Ai ngriti shqetësime edhe për zbatimin e ligjit të amnistisë, duke thënë se disa të dënuar nuk po përfitojnë edhe pse plotësojnë kriteret, për shkak të vonesave në zbardhjen e vendimeve gjyqësore.
Inspektimi në Burgun e Reçit do të vijojë edhe nesër, ndërsa në përfundim Avokati i Popullit pritet të publikojë gjetjet dhe rekomandimet përkatëse.






