Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka deklaruar se ditën e hënë do të bëjnë denoncim në Prokurori ndaj Lulzim Bashës në lidhje me pagesat e dyshimta për një kompani lobimi në SHBA.

Këtë paralajmërim, kreu i grupit të socialistëve e bëri në Parlament gjatë fjalës së tij. Balla theksoi se kallëzimi në Prokurori do të bëhet për mashtrim me financat. Ndërkohë, kreu i PD Lulzim Basha replikoi duke thënë se akuzat për pastrim parash janë për të hequr vëmendjen nga çështjet aktuale në vend.

“Akuzat për pastrim parash nga PD janë furtunë në gotë për t’i ikur të vërtetave për ty, Saimir Tahiri, vëllain e Fatmir Xhafës. Partia Demokratike ka çuar në KQZ sipas ligjit çdo të ardhur. Nuk ka asgjë për të fshehur PD. Njeriu që fsheh paratë je vetëm ti Edi Rama. Ti je ai që duhet të ishte nën akuzë për pastrim parash.

Mos prit të hënën. Çoje sot në Prokurori”, theksoi kryedemokrati Lulzim Basha.