
Banesat në Himarë, MPJ thërret për sqarime ambasadoren greke
Në vijim të interesimit të medias mbi deklaratën e fundit të MPJ greke për Himarën, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Glevin Dervishi sqaron: “Është rasti të themi se habia pason habinë kur bëhet fjalë për qëndrimet e MPJ greke. Tonet kërcënuese të deklaratës dhe njohja e cekët e situatës dhe rrethanave, nuk mund të mirëkuptohen në Europën e sotme, përveçse si një mesazh i destinuar për konsum të brendshëm”. Sipas tij, Shqipëria nuk bën dallime në respektimin e parimeve të shtetit të së drejtës. Proçedurat ligjore të ndjekura nga Bashkia Himarë, që kanë në fokus shndërrimin e qytetit të Himarës në një destinacion turistik europian, janë transparente dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi. Deklaratat e përseritura të MPJ greke dhe gjuha anakronike për Himarën janë të papranueshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të shtetit të së drejtës. Parime të cilat orientojnë veprimtarinë e institucioneve të shtetit shqiptar. Bazuar në sa më siper e në pajtim me praktikat diplomatike, Ministria e Puneve të Jashtme ka thirrur për sqarime Ambasadoren e Greqise ne Tirane duke shprehur qëndrimin e mësipërm.


