Në raportin Poverty & Equity Brief (Përmbledhje mbi Varfërinë dhe Barazinë) të publikuar në 9 tetor 2026, Banka Botërore evidenton se përmirësimi i tregut të punës ka qenë një faktor i rëndësishëm në uljen e varfërisë, por treguesit më të fundit sinjalizojnë një ngadalësim.

“Emigracioni i vazhdueshëm, plakja e popullsisë dhe mospërputhja e aftësive me kërkesat e tregut vazhdojnë të kufizojnë ofertën e fuqisë punëtore dhe rritjen e produktivitetit”, thekson raporti.

Në tremujorin e parë të vitit 2026, pjesëmarrja në forcat e punës për grupmoshën 15–64 vjeç zbriti në 76.2%, me rënie prej 0.5 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë. Norma e punësimit për popullsinë mbi 15 vjeç ishte 58%, ose 0.3 pikë përqindjeje më e ulët në bazë vjetore, ndërsa papunësia qëndroi në 8.4%. Problemet janë më të theksuara për gratë dhe të rinjtë, të cilët vijojnë të kenë nivele më të ulëta pjesëmarrjeje dhe punësimi krahasuar me burrat në moshën kryesore të punës.

Sipas institucionit, vetëm eliminimi i diferencave gjinore në punësim mund të gjenerojë një rritje të vlerësuar prej 12% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë në afat të gjatë.Pavarësisht këtyre sfidave, varfëria në Shqipëri pritet të vijojë rënien gjatë vitit 2026, e mbështetur nga rritja ekonomike dhe përmirësimet e deritanishme në tregun e punës.

Banka Botërore vlerëson se niveli i varfërisë ka zbritur nga 25% në vitin 2024 në 23.1% në vitin 2025, ndërsa parashikohet të arrijë në 21.6% këtë vit.Treguesi bazohet në pragun ndërkombëtar të varfërisë prej 8.30 dollarësh për person në ditë, sipas fuqisë blerëse të vitit 2021, që përdoret për vendet me të ardhura të mesme të larta.

Gjithsesi, institucioni sqaron se këto janë vlerësime statistikore dhe jo matje të drejtpërdrejta, pasi anketa më e fundit e familjeve që përdoret për matjen e varfërisë i përket vitit 2018. Raporti evidenton edhe hendekun e madh të të ardhurave me standardet ndërkombëtare të mirëqenies.

“Shqipëria vazhdon të përballet me një sfidë të konsiderueshme në afrimin e niveleve të të ardhurave”, thekson Banka Botërore./ Monitor.al

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakSHQIPËRIA MBYLL KAPITULLIN 20 TË NEGOCIATAVE ME BE-NË/ KRYEMINISTRI RAMA NË LUKSEMBURG NË KONFERENCËN E 10-TË NDËRQEVERITARE
Artikulli tjetërKURBINI PROMOVON TRADITËN DHE KULINARINË