Shqipëria do të përfitojë një financim nga Banka Botërore për të reformuar sektorin e ujit. Në faqen zyrtare të këtij institucioni bëhet me dije se huaja është në vlerën e 75 milionë dollarëve nga BB si dhe një grant prej 6,3 milionë dollarësh nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike.

Financimi është pjesë e programit kombëtar prej 135 milionë dollarësh për Modernizimin e Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Kanalizimeve të Shqipërisë.

Programi synon përmirësimin e aktivitetit dhe gjendjes financiare të ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve si dhe ofrimin e shërbimeve të përmirësuara të furnizimit me ujë në Shqipëri.

Sipas Bankës Botërore, Shqipërisë nuk i mungojnë burimet e bollshme ujore për t’i ofruar ujë të pijshëm, të freskët dhe të sigurt gjithë popullsisë.

Por shumica e shoqërive të ujësjellësit në Shqipëri vijojnë të kenë performancë të ulët si teknike, ashtu edhe financiare. Kjo ndikon cilësinë e shërbimit për popullsinë dhe bizneset, si dhe pamundëson ofrimin e shërbimeve aty ku mungojnë, veçanërisht për popullsinë më të cenueshme në zonat periferike dhe rurale të vendit.

Rreth 20% e popullsisë rurale nuk mbulohet nga rrjeti i tubacioneve të ujësjellësve. Shumica e shoqërive të ujësjellësve, 37 nga 58 prej tyre varen thuajse tërësisht nga fondet e qeverisë qendrore. Sektori i ujësjellës-kanalizimeve (UK) ka nevojë për reformim lidhur me modelet e menaxhimit dhe organizimit që do të mundësojnë arritjen e synimeve kombëtare.

“Nevojiten ndryshime radikale për përmirësimin e cilësisë dhe qëndrueshmërisë së shërbimeve të furnimizimit me ujë. Ne përgëzojmë Qeverinë për angazhimin në reformimin e këtyre shërbimeve në Shqipëri”, tha Emanuel Salinas, Menaxher i Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë.

“Banka Botërore do të mbështesë sektorin përmes një instrumenti novator financimi të quajtur Program për Rezultate. Kjo do të thotë që në vend që të sigurohen financime për infrastrukturën, të përqendrohemi në mbështetjen e reformës institucionale, ose siç e themi në mënyrë jozyrtare ‘në vend që të rregullojmë tubat, të rregullojmë institucionet që duhet të rregullojnë tubat’.”

Dy ditë më parë qeveria shqiptare njoftoi shkurtimin e këtyre ndërmarrjeve nga 61 që janë aktualisht në 15.