Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi sot raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2022. Banka e Shqipërisë vlerëson se në këtë periudhë, veprimtaria e sektorit bankar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme. Në tërësi, aktiviteti i sektorit bankar, depozitat dhe kreditë u zgjeruan, por ritmet e rritjes ishin më të ulëta se në periudhat e mëparshme duke reflektuar edhe ndikimin e mbiçmimit të kursit të këmbimit. Cilësia e kredisë vijoi përmirësimin dhe treguesit e tjerë të performances dhe të qëndrueshmërisë financiare mbetën në nivele të përshtatshme.

Sipas raportit, në tërësi, ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve u paraqit i kontrolluar, por rreziqet e kreditit dhe të tregut kërkojnë vlerësim të vazhdueshëm dhe të kujdesshëm. Zhvillimet ekonomike përgjatë periudhës ishin pozitive, ku rritja ekonomike u shoqërua me ulje të papunësisë dhe rritje të punësimit e të pagave. Politika fiskale ruajti nje prirje konsoliduese në pjesën më të madhe të periudhës. Presionet inflacioniste mbetën të larta dhe Banka e Shqipërisë vijoi me normalizimin e politikës monetare. Megjithëse norma e inflacionit është ngadalësuar së fundi, rreziqet për zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend mbeten të pranishme. Ato lidhen me pasigurinë që mbartin zhvillimet gjeopolitike dhe të tregjeve ndërkombëtare, por edhe me ecurinë e inflacionit, cështjet e sigurisë kibernetike dhe ndikimin e rritur të rreziqeve të tregut.

Në këto kushte, sipas Bankës së Shqipërisë, mbetet e rëndësishme që politikat ekonomike të synojnë ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, ndërsa institucionet financiare dhe autoritetet mbikëqyrëse të ruajnë një monitorim të kujdesshëm të zhvillimeve në veprimtarinë financiare dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme për të forcuar rezistencën e sistemit financiar dhe për të shmangur rreziqet për stabilitetin financiar.