
Banorët e njësisë administrative Fierzë, në bashkinë e Fushë-Arrëzit, kanë dalë hapur kundër draftit të propozuar nga Partia Socialiste për ndarjen e re administrativo-territoriale, i cili parashikon bashkimin e Fushë-Arrëzit me bashkinë e Pukës. Kryepleqtë e nëntë fshatrave të zonës u mblodhën këtë të enjte pranë vendit tradicional të kuvendeve, afër Kishës së Fierzës, nga ku i bënë thirrje qeverisë të rishqyrtojë këtë vendim. Sipas tyre, bashkimi me Pukën do t’i largonte edhe më shumë banorët nga shërbimet publike dhe do të thellonte izolimin e zonës.
Njësia administrative Fierzë ndodhet rreth 100 kilometra larg qytetit të Pukës, një distancë që, sipas banorëve, e bën të papranueshëm administrimin nga kjo bashki. Ata shprehen se, megjithëse zona prodhon energjinë që furnizon një pjesë të madhe të vendit, prej më shumë se tre dekadash është lënë në harresë nga qeveritë e njëpasnjëshme.
Banorët ngrenë shqetësimin për përkeqësimin e infrastrukturës, mungesën e investimeve, si dhe degradimin e sistemit arsimor dhe atij shëndetësor, faktorë që, sipas tyre, kanë ndikuar drejtpërdrejt në largimin masiv të popullsisë. Në përfundim të takimit, kryepleqtë e fshatrave deklaruan se do t’i bashkohen protestës së thirrur nga Bashkia e Fushë-Arrëzit, e cila do të zhvillohet të premten në orën 17:00, në kundërshtim të draftit për bashkimin e kësaj bashkie me Pukën.






