Shqiptarët nuk kanë besim tek institucionet shtetërore

Qytetarët shqiptarë kanë besueshmëri shumë të ulët tek institucionet publike. Kjo është një nga të dhënat më shqetësuese që del nga gjetjet e programit “Barometri social-politik i Shqipërisë”, të hartuar nga Qendra Shqiptare për Qeverisje të Mirë, me mbështetjen Fondacionin “Konrad Adenauer”. Arben Çejku: 70% e qytetarëve mendojnë se politika nuk është e përkushtuar aspak për zgjidhjen e problemeve të përditshme. Ndërkohë 63% e të pyeturve nuk kanë besim në institucionet e përmenduara në pyetësor, siç janë Presidenca, Parlamenti, Qeveria, Gjyqësori dhe Opozita. 63% e të pyeturve fatkeqësisht mendojnë se zgjedhjet e ardhshme parlamentare mund të manipulohen dhe vetëm 19% besojnë se ata nuk mund të manipulohen. Në nivel lokal, pakënaqësia ndaj qeverisjes lokale në krahasim me atë qendrore ndryshon. 40 % e qytetarëve mendojnë se qeverisja lokale, bashkia e tyre, po punon mirë. Korça kryeson grafikun e qyteteve më të kënaqur nga qeverisja lokale e ndjekur nga Elbasani dhe Tirana janë, në krahasim me Durrësin dhe Vlorën, që është e fundit. Një nga problemet më të mëdha sociale, sipas këtij sondazhi, vazhdon të mbetet papunësia e lartë, pavarësisht se sondazhi u krye në qytete përgjithësisht të zhvilluara në krahasim me qytetet e tjera më periferike, ku mendohet se papunësia është më e lartë. Një nga shërbimet që mban përqindjen më të lartë të pakënaqësisë është shëndetësia. 39 % e qytetarëve, që identifikojnë shëndetësinë (sistemin spitalor dhe shërbimet shëndetësore në tërësi) si një zhgënjim të vërtetë. Pas shërbimit shëndetësor, në radhë të dytë janë Tatimet (22 %) ato që kanë shkaktuar pakënaqësinë tek qytetarët. Ndërkohë, policia gëzon më shumë simpatinë e qytetarëve, për shkak se vetëm 9 për qind e tyre janë të pakënaqur nga policia. Numri total i të intervistuarve në këtë studim është 1951 persona të të gjitha profesioneve dhe me arsim të ndryshëm.