Basha-Danielson: Qeveria nxit e mbron krimin, rrezik zgjedhjet

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti sot Drejtorin e Zgjerimit në Komisionin Europian, Christian Danielson me të cilin ndau vlerësimin për marrjen e rekomandimit për hapjen e negociatave Shqipëri-BE, si dhe shprehu shqetësimin për sfidat e mëdha që po has Shqipëria, mbi të gjitha me çështjet që kanë të bëjnë me krimin, korrupsionin, me drogën, me zgjedhjet e lira e të ndershme dhe me dekriminalizimin. Kryetari Basha tha se PD ka dhënë dhe jep mbështetje totale për integrimin europian të Shqipërisë dhe është e vendosur të vazhdojë kontributin e saj maksimal për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Drejtori i Integrimit në BE, vlerësoi rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Partisë Demokratike për integrimin europian gjatë qeverisjes së saj, si dhe ne opozitë, në veçanti për reformën në drejtësi. “Moszbatimi i ligjit të dekriminalizimit si provë e mungesës se vullnetit për tu ndarë me krimin dhe për të respektuar sundimin e ligjit, është një problem i madh për demokracinë dhe shtetin ligjor”, u shpreh Basha. Kthimi i drogës në aktivitetin më të madh prodhues në vend, investimi i krimit të organizuar për të ndërtuar një infrastrukturë të tërë të prodhimit dhe trafikimit të drogës, dhe mosveprimi i shtetit ndaj trafikantëve janë indikacione të qarta të rolit nxitës dhe mbrojtës për këtë aktivitet nga segmentet më të larta shtetërore, theksoi kreu i opozitës. “Sfida më e madhe sot është garantimi i zgjedhjeve të lira në kushtet kur procesi zgjedhor kërcënohet nga droga me mbështetje qeveritare”, u shpreh Basha. Kryetari i Partisë Demokratike dhe Drejtori për Zgjerimin bashkëndanë vlerësimin se vëmendja maksimale për çështjet e mprehta që po vuan vendi, si droga dhe krimi i organizuar, zgjedhjet e lira dhe lufta kundër korrupsionit, është e një rëndësie kardinale në përballimin e këtyre sfidave.