Lideri i opozitës Lulzim Basha foli sot para mediave dhe për akuzat e kryeministrit Edi Rama, se marrëveshja me LSI është një koalicion mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe Presidentit Ilir Meta për të kapur reformën në drejtësi.

Basha tha se reforma në drejtësi ka ngelur në vend për shkak të frikës së Ramës nga drejtësia, duke e akuzuar atë si shkakun kryesor të zvarritjes së kësaj reforme.

Kreu i PD tha se më 25 prill reforma në drejtësi do të çlirohet dhe është ora kur politikanëve të korruptuar dhe të lidhur me krimin do t’iu tunden prangat e drejtësisë së pavarur.

“Reforma në drejtësi ka ngelur në vendnumëro për shkak të frikës së Edi Ramës nga drejtësia. 25 prilli do të jetë dita kur shqiptarët do votojnë për një kryeministër si unë, i cili do i mbajë larg duart nga drejtësia, që nuk do të marrë në telefon gjyqtarët dhe t’i kërcënojë për t’u prerë këmbët kur ata të godasin krimin dhe bandat, por t’i inkurajojë me çdo formë dhe do t’iu vërë në dispozicion të gjithë institucionet e ekzekutivit, duke filluar me Policinë e Shtetit dhe çdo instrument tjetër për të luftuar krimin dhe korrupsionin. Larg duart nga reforma në drejtësi, zbatim i plotë i reformës në drejtësi, larg duart nga drejtësia, është një nga shtyllat e programit tonë, një nga shtyllat ku unë besoj sepse është një nga shtyllat e një shoqërie normale. Problemin në drejtësi e shkaktoi politika. Edi Rama është shkaku dhe pengesa kryesore për zvarritjen e reformës në drejtësi. Më 25 prill reforma në drejtësi do të çlirohet, do të zbatohet deri në fund dhe është ora kur politikanëve të korruptuar dhe të lidhur me krimin do t’iu tunden jo lutjet e gjyqtarëve për t’i shpëtuar nga vettingu, por prangat e drejtësisë së pavarur që nuk i mbron, por i ndëshkon ata”, deklaroi Basha.