Basha komenton zhvillimet e fundit: Qëllim, vjedhjen e zgjedhjeve

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pasditen e së enjtes lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend, të cilat sipas tij janë tregues i një qëllimi të vetëm: vjedhjen e zgjedhjeve të ardhshme. “Mbi gjithë zhurmën e propagandës në Shqipëri, sot ka një mesazh që dëgjohet qartë: politikanët e korruptuar dhe krimi duan të vjedhin zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë Basha në një postim në profilin e tij në Facebook. Sipas kreut të opozitës, këtë mesazh po e thonë me zë të lartë qytetarët e thjeshtë, diplomatët e huaj, institucionet e drejtësisë, shërbimet sekrete të huaja e vendase, politikanët e huaj, por edhe vetë ministrat e qeverisë. “Tonelatat e farës së hashashit që kanë hyrë muajt e fundit në Shqipëri janë pjesë e planit për të blerë dhe vjedhur vota, për të ruajtur pushtetin e tanishëm politik duke prishur zgjedhjet. Një shoqëri e rrethuar nga krimi dhe droga nuk prodhon punë, mirëqenie, shëndetësi dhe arsim. Një shoqëri e pushtuar nga droga prodhon krim dhe prapambetje”, ka thënë Basha. Ai ka theksuar se, bashkë me qytetarët shqiptarë mund ta ndalë këtë të keqe. “18 shkurti është dita që populli të thotë fjalën e tij. 18 shkurti është dita për të nisur aksionin e kthimit të pushtetit tek qytetaret. 18 shkurti është dita të ngrihemi bashkë”, ka shtuar Basha.