Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka mbledhur grupin parlamentar mëngjesin e së hënës, ndërkohë që mbështetës të opozitës së bashkuar janë mbledhur para Kuvendit për të kundërshtuar zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm. Rreth 1200 efektivë janë angazhuar nga Policia e Shtetit për protestën para parlamentit.

Një ditë më parë, kryetari i PD-së dhe opozitës së bashkuar, Lulzim Basha parlajmëroi se “nëse nesër Edi Rama tenton të çojë deri në fund pucin e tij kushtetues duhet ta dijë se kostoja e përballjes do të jetë e madhe në kuptimin e goditjes që do t’i japë bashkëjetesës demokratike, stabilitetit në vend dhe se shqiptarët si çdo komb tjetër i civilizuar nuk do ta pranojnë as dhunimin e kushtetutës, as kapjen politike të drejtësisë dhe as asgjësimin e Reformës në Drejtësi, të cilët qytetarët mezi e presin.

” Mazhoranca pritet të votojë sot në seancën plenare Kryeprokurorin e përkohshëm. Komisioni i Ligjeve zgjodhi 3 nga 7 kandidatët që u vetëofruan, por socialistët kanë vendosur që të mbështesin vetëm njërin prej atyre që i përmbushin kriteret ligjore e morale në garën për kreun e përkohshëm të Prokurorisë së Përgjithshme. Deputetët e mazhorancës kanë mbledhur firmat për një nga emrat, mes Arta Markut, Ferdinand Elezit dhe Ermira Tafanit.

Artikulli paraprakPROKURORI I PËRKOHSHËM, PS MBËSHTET ARTA MARKUN
Artikulli tjetërPËRPLASJE FIZIKE MES DEPUTETËVE TË OPOZITËS DHE GARDËS