Kryetari i PD, Lulzim Basha gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar ka zbuluar se ekipi ri i PD do të ketë më shumë gra në poste të rëndësishme.

Basha thotë se ekipi i ri do të çojë përpara sfidën që nuk është opozitare, por kombëtare për të kthyer legjitimitetin dhe demokracinë.

Më tej, Basha ka siguruar se përballja me mazhorancën do të vijojë në çdo fushë, brenda dhe jashtë parlamentit, në mbrojtje të gjithçkaje që kërcënohet.

PJESË NGA FJALA E BASHËS

Ekipi i ri, në nivelet e ndryshme drejtuese të Partisë, ka detyrën të çojë përpara me vendosmëri betejën për kthimin e demokracisë dhe legjitimitetit në vend. Kemi mbi supe një sfidë që nuk është thjesht partiake, apo opozitare, por kombëtare. Ajo për clirimin e zgjedhjeve dhe thyerjes së zinxhirëve të krimit, oligarkisë dhe të shtetit të shkrirë me to, që po shtrëngon eshtrat e drobitura të një Shqipërie që kërkon shpëtim.

Kjo është një sfidë që kërkon pak fjalë dhe shumë punë, pak retorikë dhe shumë politikë të ngritur mbi idetë tona, idetë e themeluesve tanë që e ndërtuan këtë parti në antipod me cdo gjë që përfaqësonte regjimin totalitar, e që sot më shumë se kurrë duhet të shërbejnë si ylli ynë Polar.

Jam krenar që në këtë ekip do të kemi më shumë gra në detyra të rëndësishme, me profile të spikatura që e bëjnë Partinë Demokratike më gjithpërfshirëse, jo për shkak të kuotave gjinore që shpesh herë ngatërrojnë sasinë me cilësinë e përfaqësimit, por si vlerësim të profesionalizmit, integritetit dhe përkushtimit të tyre. Mirënjohje për angazhimin tuaj fisnik dhe suksese.

Të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre në pozicionet e ndryshme drejtuese kanë mirënjohjen time dhe të demokratëve. Pres që harmonizimi i kontributeve të reja dhe ekzistuese të jetë në përputhje me pritshmëritë e demokratëve dhe shqiptarëve.

Në kushtet e kapjes gati totale të mediave, propaganda e kthen çdo gjë që është e lavdërueshme mes nesh, nga kërkesat për përsosje të mëtejshme te kritikat konstruktive, në një vorbull marramendëse, që na shtyn larg interesit publik duke na portretizuar në mënyrë të gënjeshtërt si të dobët apo në krizë.

Ne nuk duhet ta pranojmë këtë përmbysje të së vërtetës. Sepse të marrësh numrin e votave që ne morëm në 25 prill, pavarësisht krimit, oligarkëve, patronazhistëve, partisë të bërë njësh me shtetin, ndryshimeve të njëanëshme kushtetuese, do të thotë se përkundër të gjithave, ne dolëm më të fortë dhe më të bashkuar.

Kështu që mos lejoni të hidhet poshtë mundi i demokratëve, mos lejoni të hedhin poshtë mundin tuaj, mos lejoni që e keqja të relativizohet, por le të punojmë fort, me vetëdijen se të gjithë bashkë kemi mundësuar një arritje të madhe pa pasur asnjë pushtet, të vetëdijshëm gjithashtu se i kemi të gjitha mjetet e nevojshme për ta zhbërë këtë padrejtësi që nuk i është bërë vetëm demokratëve, por mbarë shqiptarëve.

Vëllezër dhe motra, ajo që na pret është një përballje e gjithanshme me regjimin.

Të gjithë e dimë që masakra e 25 prillit vetëm sa e thelloi krizën politike, ndërsa kundërshtari që kemi përballë, është zhytur edhe më thellë në bashkëpunimin e tij me krimin dhe oligarkët, të cilëve tani duhet t’iu paguaj haraçin për shërbimet që ata i bënë në shkatërrimin e zgjedhjeve.

Këtë faturë nuk do ta paguajë Rama, por shqiptarët. Zullumi vetëm trashet, korrupsioni vetëm bëhet edhe më kërcënues, krimi edhe më i epërm në arrogancën e tij përballë një shtetit të gjunjëzuar, ndaj dhe përballja me ta duhet të jetë e fortë dhe frontale.

Kjo përballje do të zhvillohet në cdo fushë të jetës politike dhe shoqërore, brenda dhe jashtë parlamentit, në mbrojtje të gjithckaje që kërcënohet nga kjo pakicë e korruptuar.