Kreu i PD, Lulzim Basha ka zhvilluar një vizitë në Malësinë e Madhe ku është pritur nga mbështetësit dhe simpatizantët demokratë.

Basha thotë se shpesh herë politika i ka ndarë shqiptarët, por asnjherë ata s’kanë qenë më të bashkuar se sa sot.

Për Bashën, kjo do të jetë fushata e parë dhe e fundit ku kryeministri bëhet satelit i kryeministrit të ardhshëm.

Ai u premtoi sërish qytetarëve të Malësisë së Madhe se siç hoqi vizat do e fusë dhe Shqipërinë në Be.

”Në veçanti ju djem e vajza të Malësisë së Madhe, krenaria e Shkodrës e mbarë Shqipërisë, faleminderit për mikëpritjen. Në këto 30 vite, vendi ynë është përballur me sfida të mëdha. Shpesh herë politika i ka ndarë njerëzit në llogore, dhe zgjedhjet kanë përcaktuar, kanë marrë afatshkurtër e afatgjatë, kurrë më parë nuk kanë qenë shqiptarët kaq të bashkuar sa sot.

8 vite ka ky njeri që mban peng vendin, që i ka shndërruar pasuritë e Malësisë në pasuri private. E bëri politikën e pisët, sepse erdhi me premtime të mëdha, dhe me paturpësinë më të madhe i braktisi.

Do të mbahet mend si fushata e parë dhe e fundit kur kryeministri u kthye në satelit të kryeministrit të ardhshëm.

Banorëve të Malësisë së Madhe, Shkodrë e Shqipërisë nuk u shpjegon dot pensionistëve pse i gënjeu 8 vite. Asnjë fjalë për t’iu shpjeguar studentëve që i degdisi në sistemin më të falimentuar universitar, me Ligjin më primitiv dhe 0 mbështetje financiare.

S’ka si tu dalë fermerëve, u hoqi edhe subvencionet. I zhyti në varfëri, me çmimet më të larta të taksave dhe naftës.Nuk del dot para të papunëve, biznesit të vogël, minatorëve, punonjësve të turizmit, ka dështuar në çdo fushë. Koha e tij ka marrë fund, dhe sot e di Malësia e Madhe, Shkodra e gjithë Shqipëria.

Një ditë e re po vjen, një ditë e politikës së re, e vendimmarrjes që ndihmon e nuk pengon mirëqënien e qytetarëve. Ashtu siç hoqëm vizat, do e fus Shqipërinë në BE.

Një ekonomi që zhvillohet, do sigurojmë vende pune, që rinia e Malësisë së Madhe të arsimohet këtu, me paga dinjitoze, pranë prindërve të tyre.

Ndodhem sot mes jush jo vetëm për t’iu thënë bashkohuni për ndryshim që Malësia të fitojë, Shqipëria të fitojë. Drejt fitores së Shqipërisë, do i prini me votën tuaj.

Ndryshimi ka ardhur. Ja kështu siç jemi mbledhur. Kështu do mblidhen shqiptarët kudo. Vendimi është marrë. Ndryshimi do të vijë me votën tuaj.

Vendosni maskat, mbani distancën. Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja. I uroj gjithë besimtarëve katolikë të kenë një Pashkë të bekuar.”- tha Basha.