Kryedemokrati Lulzim Basha ashtu si opozita i është bashkuar protestave të aktivistëve në mbrojtje të Teatrit Kombëtar. Sot ai ka firmosur peticionin e Aleancës për Mbrojtjen e e Teatrit që synon mbledhjen e 1 milion firmave për të shkuar në referendum për rindërtimin e Teatrit.

Basha deklaroi sot se opozita ka një qëllim, t’u japë fund menjëherë kushteve në të cilat padrejtësia shtyp qytetarët, shkatërron pronën e tyre, i varfëron dhe kjo padrejtësi sipas tij e ka emrin Edi Rama.

“Në funksion të këtij qëllimi ne kemi bashkuar sot gjithë forcat tona anë e mbanë Shqipërisë në një projekt ndryshimi, i cili merr jetë me votën e Shqiptarëve. Ndryshimi në Shqipëri është i paevitueshëm. Edi Rama është investuar të ndalë rrugën europiane të Shqipërisë, është investuar të ndalë përpjekjet për zgjedhje të lira e të ndershme dhe me 17 maj i ka provuar mbarë botës se me të nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, me të mund të ketë vetëm dhunim të të drejtave të qytetarëve”, tha ai.