Kryetari I PD Lulzim Basha ka zhvilluar nje takim me demokratët në Shkodër.Ne fjalen e tij Basha tha:

Sot nga Shkodra e krenarise kombetare më vjen keq të pohoj se jemi në një nga skenat e krimit të 25 prillit. Këtu hileja e regjimit Rama-Doshi fshehu koncesionin e Partisë Socialiste si kamuflazh nën siglën e PSD-së.

Por sikurse e dinë shkodranët dhe e gjithë Shqipëria, nuk ka PSD. Ka një ndërmarrje të përbashkët të Edi Ramës dhe të Tom Doshit për të fshehur nën siglën e kësaj ndërmarrjeje, të padëshiruarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Nuk ka PSD, sepse ka tre kandidate të dalë nga masakra zgjedhore e 25 prillit, që të tre drejtorë të Partisë Socialiste. Nuk ka as PSD, as PS, por është regjimi Rama-Doshi që bleu me paratë e grabitura të shqiptarëve mjerimin që j’ua ka shtruar në sofra çdo familje shkodrane dhe shqiptare.

E kështu pra, fatkeqësisht, Shkodra e njerëzve me shpirt fisnik nuk përmendet për gjigandët e kulturës që e ndritën imazhin e kombit, por përmendet për Tom Doshin që është bërë i famshëm përtej Atlantikut për aferat e tij kriminale dhe korruptive si një nga kokat e gjarprit që ka shtrënguar dhe po asfikson Shqipërinë në morsën e krimit dhe të korrupsionit.

Si asnjë herë tjetër, shteti u përvesh me të gjitha mjetet në aleancë me krimin kundër opozitës, kundër Partisë Demokratike për të tjetërsuar vullnetin e shqiptarëve. Të gjithë jemi dëshmitar se si i derdhën lumë paratë e korrupsionit dhe i përdoren banditët për të shantazhuar, intimiduar dhe blerë votuesit. Në mënyrën më të paimagjinueshme që nga kohërat më të egra të diktaturës.

Ju dolët në betejë si njerëz të lirë pa asnjë pushtet dhe pavarësisht vjedhjes më të madhe në historinë e pluralizmit ia dolët dhe e patë në sytë e njerëzve, e ndjetë në zemrat e tyre sesi e ngritët peshë shpirtin e tyre, pasionin e tyre për ndryshim.

Jam i vetëdijshëm se edhe përtej vështirësive të parrëfyera të gjithsecilit prej demokratëve, këtë nuk e bëtë për veten tuaj, nuk e bëtë për mua, nuk e bëtë për drejtuesit tanë politikë, por e bëtë sepse gjithsecili prej jush hyri në këtë betejë me besimin se fitorja e Shqipërisë ishte më e rëndësishme sesa fitorja me çdo çmim e partisë.

Në këto kushte ne kemi një dhe vetëm një detyrë, të vazhdojmë deri në fund betejën derisa e drejta për 25 prillin të jetë e qartë dhe e kthjellët si qielli. Të gjithë e dimë se çfarë ka ndodhur, të gjithë e dimë se forca dhe vullneti juaj bënë diferencën pavarësisht prej makinerisë shtetërore të bërë njësh me mafien, pavarësisht regjimit Rama-Doshi.

Ndaj, sot kam ardhur t’ju për të vazhduar dhe për ta çuar së bashku deri në fitore betejën që kemi nisur. Nëse jemi të vetëdijshëm për arritjet e kësaj beteje e cila ngriti peshë zemrat e shqiptarëve për ndryshim, nëse jemi të bashkuar, nëse jemi të gatshëm të pranojmë dhe të ndreqim ato që janë në dorën tonë të ndreqim, atëherë i kemi të gjitha

mjetet për ta mbajtur të ndezur shpresën dhe pasionin për ndryshim të shumicës dërrmuese të shqiptarëve dhe të shkodranëve, i kemi të gjitha mjetet për ta flakur me çdo mjet një orë e më parë këtë pakicë plaçkitëse.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakSHENDETI – 19.05.2021
Artikulli tjetërVONESË PËR DOZAT E REJA TË SINOVAC, SQARON BINO: SHTYRJA E DOZËS SË DYTË NUK SHKAKTON PROBLEM PËR QYTETARËT