Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha nga Shkodra, deklaroi se të dielën, PD do të sjellë ndryshimin.

Basha thekson se më 25 prill, do të jetë fitorja më e madhe dhe më e bukur, sepse do jetë e të gjithë shqiptarëve.

“Ky është shiu i perëndisë që paralajmëron bereqetin e fitores më të thellë që pret Shkodrën dhe Shqipërinë, ditën e diel me votën tuaj për numrin 9. Shkodra e qytetarisë, që mbarë kombit ia ka ngritur kokën edhe në ditët e veta më të zeza.

Fitorja e së dielës do të fillojë nga Shkodra, do të nisë nga maja e Kelmendit e do zbresë deri në jug, e do jetë fitorja më e bukur, e çdo shkodrani e shkodraneje.

Tetë vite premtime të pambajtura, varfëri, shtypje, korrupsion e banda do marrin fund. Ju i keni prirë përherë ndryshimit, ju do i prini fitores. Qeveria e zgjedhjeve të 25 prillit do jetë e të gjithë shqiptarëve.

Vetëm 12 orë na ndajnë nga heshtja elektorale, dy ditë e 12 orë na ndajnë nga fitorja. Siç nuk ndalet uji i Bunës, mos ndalni punën tuaj, duke votuar për ndryshimin, që do të vijë në Shkodër, në Vlorë, Korçë, në Durrës, Tiranë dhe gjithë Shqipërinë. Shkodra është prijëse e demokracisë dhe e fitores, ora po vjen që ta tregojë këtë gjë”, deklaroi Basha.

Artikulli paraprakZGJEDHJET, POLICIA PLAN MASASH: NGA SOT DERI TË MARTËN MERREN NË MBROJTJE INSTITUCIONET, 7519 PUNONJËS TË TRAJNUAR PËR T’U ANGAZHUAR
Artikulli tjetërHELIDON BUSHATI: FITORJA E TE ARDHMES SE SHKODRES DHE SHQIPERISE ESHTE VETEM 2 DITE LARG