Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha është takuar me përfaqësues të Institutit Demokrat Amerikan, NDI ku u shpreh se ndërlidhja e krimit me politikën rrezikon të kompromentojë gjithçka ka arritur Shqipëria në këto vite.

“Ndërlidhja e krimit me politikën rrezikon të kompromentojë rëndë gjithçka ka arritur Shqipëria në këto vite, si edhe të asgjesojë çdo reformë për zhvillimin e vendit”- tha Basha në takimin me delegacionin e NDI, i drejtuar nga Robert Benjamin, Drejtor për Europën Qendrore dhe Lindore.

Kryetari i PD theksoi se zgjidhja për këtë situatë të rëndë politike është krijimi i një qeverie antimafia për të bërë të mundur çmontimin e sistemit mafioz politik të ngritur mbi blerjen e votës.

“Për këtë qëllim zbatimi i identifikimit biometrik dhe votimit elektronik, si dhe kontrolli i financimit të rreptë të partive, është domosdoshmëri jetike për zgjedhje sipas standardeve demokratike”, vijoi Basha.

Delegacioni i NDI-së është në Tiranë për t’u ofruar partive politike asistencë për transparencën, menaxhimin dhe mbikqyrjen financiare. PD është e gatshme ta zbatojë këtë përvojë, por zoti Basha shprehu shqetësimin e përdorimit të parave të pista në fushatë, siç është faktuar nga përgjimet e antimafias italiane se Saimir Tahiri shpenzoi 20 milionë euro, të ardhura nga trafiku i drogës, për fushatën e PS-së në Tiranë në zgjedhjet e fundit.