Edhe Bashkimi Europian shprehu keqardhjen që lidershipi i Partisë Demokratike e refuzoi propozimin për kompromis për reformën në drejtësi.

Delegacioni i BE-së në Tiranë reagoi pas publikimit të propozimit të paraqitur nga opozita duke thënë se besueshmëria e reformës në drejtësi varet përgjithësisht nga besueshmëria e vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve. “Për ta garantuar këtë, një rol i kufizuar specifik i komunitetit ndërkombëtar përmes Operacionit Ndërkombëtar Monitorues është thelbësor”, thuhet në një deklaratë. Për Bashkimin Europian, “kjo përputhet plotësisht me opinionin e Venecias, që e parashikon këtë rol për Operacionin Ndërkombëtar Monitorues”. “Propozimi aktual për kompromis reflekton pozicionin tonë të qartë”, thuhet në deklaratën që komuniteti ndërkombëtar duhet të sigurojë monitorim të fuqishëm për të garantuar besueshmërinë e procesit, përfshirë pre-vetingun e anëtarëve të organeve të vetingut, duke dhënë, sipas rastit, rekomandime negative. Bashkimi Europian sqaron se, “komuniteti ndërkombëtar nuk ka sugjeruar kurrë pasjen e ndonjë pushteti ekzekutiv, meqë është thelbësore që autoritetet shqiptare të ruajnë zotërimin e plotë”. Në deklaratë thuhet se tani negociatat duhet të mbërrijnë në një konkluzion pozitiv. “Kjo do të diskutohet gjithashtu nga zëvendës sekretaria e përgjithshme e Shërbimit Evropian të Aksionit të Jashtëm, Helga Schmid gjatë vizitës së saj në Shqipëri”, njoftohet më tej në deklaratë.

Artikulli paraprak“DREJTËSIA”, BASHA: PROPOZIMI HIBRID, NJË HAP LARG MARRËVESHJES
Artikulli tjetërDE BIASI: ANGLIA MUNDËSI E ARTË, NUK DO TA REFUZOJA