Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka urua marrjen e presidencës së BE nga Gjermania duke e cilësuar një lajm mjaft pozitiv për rrugën integruese drejt familjes europiane të Shqipërisë. Basha shprehet optimist se ditë më të mira do të vijnë për vendin duke theksuar se vullneti politik për të zhbërë të gjitha pengesat dhe ecur para me integrimin duhet të jetë mbi etjen për pushtet.

Kryedemokrati thekson se reforma zgjedhore dhe zbatimi i saj për të garantuar zgjeshje të lira, luftimi i krimit dhe korrupsionit, ngritja e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë janë disa nga kushtet që vendi duhet të përmbushë për të mundësua bashkimin me familjen europiane.

“Marrja e kryesimit të Presidencës së BE nga Gjermania është një lajm i mirë për Shqipërinë. Dielli duket që kur lind, ndaj gjermanët kanë vendosur që në fillim të agjendës së tyre në krye të BE, procesin e integrimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor. Nuk duhet humbur më kohë për të përmbushur 15 kriteret, drejtimi për të dalë nga kriza ku është futur Shqipëria është pikërisht aty.

Reforma Zgjedhore dhe zbatimi i saj përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, Ndëshkimi i personave të përfshirë në manipulimin e zgjedhjeve, bërja funksionale e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë dhe shqyrtimi i legjitimitetit të procesit të 30 qershorit 2019, Lufta kundër Korrupsionit, Krimit të Organizuar dhe Trafiqeve, Ligji i Medias që cenon lirinë e shprehjes, masat për uljen e numrit të azilkërkuesve, janë disa nga hapat që duhet të ndjekë vendi ynë për të mundësuar bashkimin me familjen europiane.

E di, kurrë nuk kemi pasur kritere kaq të forta në rrugëtimin tonë! Kjo sepse vendi nuk ka qenë kurrë në një krizë kaq të thellë e të gjithanshme. Ndaj vullneti politik për t’i zhbërë këto pengesa duhet të prevalojë mbi etjen dhe lakminë për gjithëpushtetshmëri. E nesërmja e Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk kanë pse të jenë peng i të sotmes, aq më tepër kur kemi vullnetin e miqve tanë për të na mundësuar tejkalimin sa më shpejt të kësaj faze të errët për vendin tonë.

Shqipëria do t’ia dalë! Shqiptarët meritojnë dhe do të kenë ditë më të mira! Urimet më të përzemërta Gjermanisë dhe kancelares Merkel në kryesimin e Bashkimit Europian, urime miqve dhe partnerëve të Shqipërisë në Bundestag dhe në të gjitha institucionet e tjera të Gjermanisë mike dhe të BE”, shkruan Basha.

Gjermania mori ditën e djeshme më 1 korrik presidencën 6 mujore të BE, ku ambasadori Zingraf theksoi se do të qëndrojë në krahë të Shqipërisë me vepra dhe i bëri thirrje institucioneve të vijojnë punën me zbatimin e reformave që integrimi në BE të jetë edhe më afër.

Artikulli paraprakTEMPERATURA TË LARTA DERI NË 39 GRADË, PARASHIKIMI I MOTIT PËR SOT
Artikulli tjetërPOLAKËT “RIKTHEHEN” NË SHQIPËRI PËR PUSHIME, AGJENCITË TURISTIKE NISIN PROMOVIMIN, OFERTAT PËR PAKETA PAS 15 KORRIKUT