Kryetari i PD, Lulzim Basha në një postim në Facebook shprehet se vetëm një qeveri antimafia do i hapte rrugës reformës zgjedhore dhe fillimit të pastrimit të politikës nga krimi.

 

 Basha thekson se një studim i BE ka zbuluar se mbi 20 për qind të votuesve në Shqipëri u është ofruar para ose favore në shkëmbim të votës. “Në Shqipëri votat janë blerë në mënyrë masive. Një studim i financuar nga BE ka zbuluar se mbi 20 për qind të votuesve u është ofruar para ose favore në shkëmbim të votës. Numri i vërtetë është edhe më i madh, po të kihet parasysh se shumë persona zgjedhin të mos e tregojnë këtë të vërtetë. Studimi është një tjetër tregues i blerjes masive të votave nga Edi Rama me anë të parave të drogës dhe të krimit.

Një pushtet që merret me krim, mund të mbahet vetëm me më shumë krim. Prandaj qeveria Rama u kthye gradualisht në një organizatë kriminale të përfshirë direkt në mbështetjen e trafikimit të drogës, në pastrimin e parave të drogës me anë të PPP-ve, në zhvillimin e një industrie mafioze të plehrave dhe aktivitete të ngjashme. Në të njejtën mënyrë, Edi Rama do vazhdojë të zhytet edhe më thellë në krim çdo ditë e më shumë që ai do të jetë në pushtet. Prandaj krijimi i një qeverie antimafia që i hap rrugë nje reforme të mirëfilltë zgjedhore është hap i parë dhe i domosdoshëm për kthimin e legjitimitetit të zgjedhjeve dhe fillimin e pastrimit të politikës nga krimi” deklaron ai.

Artikulli paraprakSHKON TË BISEDOJË ME DHËNDRIN QË I DHUNONTE VAJZËN, E PESON NJELLOJ
Artikulli tjetërDETI ME DALLGË TË LARTA PENGON UDHËTIMIN DREJTË ITALISË