Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzoi Ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj se me urdhër të kryeministrit Edi Rama ka dekonspiruar operacionin për arrestimin e tre ish zyrtarëve të lartë të policisë.

“Një gjë mund t’ju them me siguri, se dekonspirimi është bërë nga Xhafaj me urdhër të Ramës. Arsyeja është e qartë, Rama nuk mund të lejonte arrestimin e personave që mund të luanin rol në zbardhjen e çështjes.” Basha tha se policia e shtetit ka funksionuar si një organizatë kriminale. “Duhet një reformim tërësor i Ministrisë së Brendshme dhe policisë dhe kjo smund të ndodhë për sa kohë kjo kontrollohet personalisht nga Edi Rama.

Ndaj duhet edhe largimi i tij për të pastruar këtë kancer që ka shtrirë tentakulat e veta në çdo institucion.” Basha nënvizoi se arrestimi sa më parë i Tahirit dhe i kokave të policisë është parathënia e pastrimit të politikës nga krimi.