Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zbardhur takimin e zhvilluar sot me ambasadorët e Bashkimit Evropian në Tiranë, përfshi dhe ambasadorin Luigi Soreca.

Basha thekson se ka diskutuar me ambasadorët e BE mbi integrimin e Shqipërisë, duke e cilësuar këtë si prioritetin kryesor të PD.

Mes të tjerash, Basha ka folur edhe për zgjedhjet e 25 prillit, duke thënë se ajo ditë “nuk kishte asnjë lidhje me demokracinë dhe për Partinë Demokratike nuk mund të quhet një kapitull i mbyllur”.

Mesazhi i Bashës:

Diskutime të frytshme sot me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian🇪🇺. Integrimi Europian i Shqipërisë🇦🇱 ka qenë dhe mbetet prioriteti kryesor i Partisë Demokratike, ndaj do të bëjmë gjithçka që vendi ynë të eci përpara në këtë rrugëtim kaq të rëndësishëm për qytetarët tanë. Për ne BE do të thotë votë e lirë, pavarësi e institucioneve, liri dhe pavarësi e mediave, ndarje e politikës nga krimi dhe luftë ndaj korrupsionit. Pa këto nuk mund të ketë as zhvillim, as integrim dhe as demokraci. 25 prilli nuk kishte asnjë lidhje me demokracinë dhe për Partinë Demokratike nuk mund të quhet një kapitull i mbyllur. Prandaj ne do të kërkojmë deri në fund hetimin e krimeve zgjedhore, ndëshkimin e fajtorëve dhe kthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend.