
Kërkesa e tregtarëve të fruta – perimeve për gjetjen e hapësirave ku të shesin është zbatuar nga Bashkia Shkodër, megjithatë asgjë nuk ka ndryshuar deri tashmë. Asnjë prej tregjeve të orfuara nuk përdoret nga shitësit, kjo pasi ata nuk janë regjistruar që të paguajnë taksat sipas legjislacionit në fuqi.
Dhjetëra tregtarë ambulantë, të cilët për ditë me radhë kërkuan hapësira shitjeje, tashmë kanë mbetur në mes të katër rrugëve. Bashkia Shkodër ka vënë në dispozicion 44 hapësira për këta shitës pranë tregut të fruta – perimeve, megjithatë ato janë bosh. Një pjesë e tyre kanë ndalur aktivitetin ambulant, ndërsa janë të paktë ata që shesin në trotuare, kjo si pasojë e aksioneve intensive të Policisë Bashkiake. Burime pranë Bashkisë Shkodër bëjnë me dije se institucioni e ka kryer detyrën duke ofruar vendet e nevojshme, por tregtarët janë tërhequr në momentin e fundit duke mos i përfunduar aplikimet e bëra para disa ditëve. Kjo ka ndodhur për arsye se instituciuoni i bashkiasë ka kërkuar regjistrim dhe numër NIPT-i, ç’ka do të thotë një taksë vjetore prej 75000 lekësh të reja që duhet ta paguajnë tregtarët ambulantë ndaj shtetit. Nga ana tjetër, taksa prej 350 lekësh të reja në muaj që duhet paguar ndaj bashkisë Shkodër është një arsye më tepër pse tregtarët ambulantë nuk kanë pranuar të përdorin tregjet e vëna në dispozicion. Ajo që kërkuan tregtarët është vënë në dispozicion, megjithatë situate akoma nuk ka gjetur zgjidhje.


