Klubi i futbollist Vllaznia ditët e fundit i është nënshtruar një auditi të hollësishëm.

Burime pranë Vllaznisë bëjnë me dije se fillimisht pjesë e këtij auditimi janë periudhat e fundit gjatë drejtimit të klubit të futbollit Vllaznia. Në fakt ky grup auditi që është ngritur vjen për herë të parë në këto më shumë se 4 vite nga vetë Bashkia Shkodër e cila ka marrë këtë nismë. Natyrisht nisur nga akuzat jo të pakta në publik, kryetarja e bashkisë Voltana Ademi prej disa ditësh ka firmosur ngritjen e një grupi i cili do bëjë auditimin për klubin Vllaznia. Burime pranë klubit kuqeblu bëjnë me dije se pjesë e këtij kontrolli të imtësishëm do të jenë të gjitha pasqyrat financiare, çdo veprim financiar e po ashtu edhe mënyra e administrimit të buxhetit që ka patur kjo skuadër kohët e fundit por edhe të gjitha hallkat e tjera. 

VLLAZNIA, AUDITI PËR PASQYRAT FINANCIARE DHE ADMINISTRIMIN

Këtë të drejtë bashkisë Shkodër ia jep ligji për auditin për shoqëritë tregtare ku bashkia është aksionere me më shumë se 50%, konkretisht 100% e aksioneve aktualisht i ka e vetme bashkia. Auditimi për klubin e futbollit Vllaznia ka nisur këtë javë dhe pritet që të zgjasë deri në fund të këtij muaji. Siç bëjnë të ditur burimet pjesë e kontrolleve do jenë edhe kontratat e lojtarëve apo edhe shpenzimet operative që janë bërë për të parë krejtësisht se si është menaxhuar klubi kuqeblu. I gjithë ky auditim që nuk ka ndodhur më parë do të evidentojë të paktën për periudhën e fundit në harkun kohor të një viti nëse ka patur abuzime dhe nëse po sa dhe si është abuzuar si dhe kush janë përgjegjësit. Në përfundim raporti pritet që të paraqitet edhe në këshillin bashkiak të Shkodrës nga ku më pas edhe do të diskutohet për të marrë edhe vendimet përkatëse.