Bashkia Shkodër u ka bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të informohen mbi përfitimet që parashikon ligji i ri për faljen dhe lehtësimin e detyrimeve vendore.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore pranë Bashkia Shkodër, qytetarët dhe subjektet mund të paraqiten pranë zyrave të bashkisë për të marrë informacion të detajuar mbi detyrimet e tyre, si dhe mbi procedurat dhe afatet për të përfituar nga Ligji nr. 86/2025.
Në bazë të këtij ligji, të gjitha detyrimet vendore deri në vitin 2014 falen plotësisht.
Ndërkohë, për periudhën 2015–2019, subjektet duhet të paguajnë vetëm 50% ose 75% të detyrimit kryesor, ndërsa gjobat dhe kamatëvonesat falen.
Për detyrimet që i përkasin viteve 2020–2024, kërkohet pagesa e plotë e detyrimit kryesor deri më 31 dhjetor 2026, ndërsa penalitetet dhe kamatëvonesat do të falen.
Autoritetet vendore bëjnë me dije se nga kjo skemë nuk përfitojnë subjektet që janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, si dhe ata që janë në proces gjyqësor apo hetimi penal për vepra në fushën tatimore ose doganore.
Në fund të njoftimit, bashkia u bën thirrje qytetarëve dhe bizneseve të interesuara që të paraqiten pranë zyrave përkatëse për të përfituar nga lehtësitë që ofron ky ligj.

Artikulli paraprak“LIVADE” BANORËT KËRKOJNË ZGJIDHJE PËR UJËRAT E ZEZA
Artikulli tjetërNGA 12 MARSI SEGMENTI PARRUCË–XHABIJE HAPET NË DY SENSE