
Bashkia Shkodër ka nisur procesin e grumbullimit të qenve endacakë në rrugët kryesore të qytetit të cilët do të strehohen në strehëzën e qenve të ndërtuar nga bashkia. Alban Sekja, drejtor I bujqësisë në bashkinë Shkodër tha se grumbullimi po kryhet brenda të gjitha standarteve.
Drejtori Sekja bën me dije se bashkia Shkodër po bashkëpunon me disa organizata për ofrimin maksimal të shërbimit në strehëzën e kafshëve.
Prej disa javësh ka përfunduar faza e parë e projektit të ndërtimit të strehëzës së qenve ku tashmë do të strehohen 50 qen endacakë. Me përfundimin e fazës së dytë pritet që kjo strehëz të ketë një kapacitet për strehimin e mbi 150 qenve të rrugës. Situata e krijuar është tejet shqetësuese pasi numri i qenve endacakë ka ardhur në rritje për shkak se në mënyrë ilegale po sillen nga qytete të tjera, madje edhe përtej kufirit.


