Në Shkodër duket se e kanë marrë shumë seriozisht çështjen e privatizimit të Klubit të Futbollit “Vllaznia”.

Premtimi i bërë nga kryebashkiakja Voltana Ademi një muaj më pare, kur deklaronte se brenda pak muajsh do të nisnin procedurat për privatizim, në fillim u pa me skepticizëm nga shumëkush. Por, Bashkia e Shkodrës duket se e ka marrë seriozisht një gjë të tillë. Kjo duket qartë edhe në hartimin e projekt-buxhetit të vitit 2017 nga ky institucion, ku është planifikuar një fond për procedurat që do të ndiqen për një çështje të tillë. “Gjatë vitit 2017 është planifikuar vlerësimi i aseteve dhe përgatitja e dokumentacionit për shitjen me ankand të aksioneve të Bashkisë së Shkodrës në Klubin e Futbollit “Vllaznia”, sipas përqindjes së vendosur me vendim të Këshillit Bashkiak dhe asamblesë së shoqërisë në zbatim të ligjit “Për shoqëritë tregtare”, – shkruhet në librin e projekt-buxhetit të këtij institucioni.Për këtë arsye, mësohet se do të ngrihet fillimisht një komision, që do të merret me përgatitjen e termave të referencës për përzgjedhjen e shoqërisë, ose ekspertit kontabël për vlerësimin e gjendjes financiare dhe vlerës së shoqërisë. Më pas, do të kryhet procedura e përzgjedhjes, lidhjes së kontratës dhe marrja në dorëzim e dokumentacionit, që do të pasohet me përgatitjen e dokumentacionit për ta paraqitur në këshill bashkiak dhe në asamblenë e shoqërisë, për përcaktimin e përqindjes së aksioneve që do nxirren në ankand. Për të kryer të gjitha këto procedura, Bashkia e Shkodrës ka programuar një fond prej 10 milionë lekësh të vjetra në buxhetin e këtij viti.Kuptohet që ky institucion e ka marrë tashmë seriozisht heqjen e kësaj barre financiare që ka mbi vete, sa i takon administrimit të KF Vllaznia sh.a. Vetë bashkia ka bërë të ditur se prej 5 vitesh, që ky institucion subvencionon klubin e futbollit, ka shpenzuar mesatarisht nga 510 milionë lekë në vit për të. Vetë kryebashkiakja Ademi, edhe në prononcimin e fundit për mediat ka bërë të ditur se ka disa persona të interesuar, shqiptarë dhe të huaj, për Vllazninë dhe sipas saj, përderisa ka interesim, do t’u jepet mundësia të hyjnë në ankandin që pritet të hapet këtë vit.

Artikulli paraprakEKONOMIA, RRITEN RASTET E DHUNËS NDAJ GRAVE
Artikulli tjetërBASKET, ALGERT GJONAJ FIRMOS ME VLLAZNINË