
Kryetari i Bashkisë Shkodër Benet Beci zhvilloi sot një vizitë në Repartin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, ku falënderoi efektivët për përkushtimin dhe punën e jashtëzakonshme që kanë bërë gjatë gjithë vitit, veçanërisht në këtë periudhë me temperatura të larta dhe rrezik të shtuar nga zjarret. Gjatë takimit, ai dorëzoi edhe një automjet të ri për Emergjencat Civile, në funksion të forcimit të kapaciteteve të repartit, ndërsa i siguroi efektivët për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkisë Shkodër dhe të Qeverisë Shqiptare.
Kryetari i Bashkisë Shkodër Benet Beci u kërkoi zjarrfikësve të vijojnë me të njëjtën gatishmëri maksimale edhe gjatë muajit gusht, duke theksuar se ky mbetet një nga muajt më sfidues për përballimin e emergjencave nga zjarret.
Në përfundim, ai shprehu mirënjohjen për sakrificën dhe profesionalizmin e tyre, duke nënvizuar se puna e zjarrfikësve është një garanci për sigurinë e qytetarëve dhe mbrojtjen e pasurive publike e natyrore.






