
Bashkia Shkodër – 10.01.2026, ora 10:00
INFORMACION I PËRDITËSUAR
Pas reshjeve të ditëve të fundit, situata në territorin e Bashkisë Shkodër paraqitet përgjithësisht e qëndrueshme dhe nën monitorim të vazhdueshëm nga strukturat përgjegjëse dhe specialistët e terrenit.
Në Njësinë Administrative Velipojë janë evidentuar rreth 250 ha tokë bujqësore dhe kullota nën ujë. Nuk raportohen dëme në blegtori dhe bletari.
Në Njësinë Administrative Dajç janë evidentuar rreth 100 ha tokë bujqësore dhe kullota me ujëra sipërfaqësore, me tendencë përmirësimi. Veçmas, evidentohen 300 ha kënetë Dajç dhe 50 ha kënetë Pentar, zona natyrore shkarkimi pa ndikim në banesa apo toka të punuara.
Në Njësinë Administrative Ana e Malit janë evidentuar rreth 120 ha ujëra sipërfaqësore në parcela të pambjella.
Në total, sipërfaqja e prekur përfshin rreth 470 ha tokë bujqësore dhe kullota.
Hidrovoret janë në gjendje pune me kapacitet të plotë, veçanërisht hidrovori i Çasit, ndërsa kanalet kryesore kulluese janë funksionale dhe në nivele normale.
Rruga e fshatit Obot vijon të jetë e pakalueshme për mjetet e vogla, ndërsa banesat në brendësi të fshatit nuk kanë prezencë uji.
Lumenjtë Bunë dhe Drin kanë njohur rritje të nivelit me rreth 10–20 cm dhe po monitorohen në mënyrë të vazhdueshme.
Nuk raportohen banesa me prezencë uji dhe as dëme serioze në infrastrukturë apo në aktivitetet bujqësore. Situata vijon të monitorohet në mënyrë të pandërprerë.






